AKADEMITË E BIZNESIT
Banka Për Biznes, në bashkëpunim me partnerin e saj strategjik European Fund For Southeast Europe (EFSE), ka filluar me ofrimin e shërbimeve jofinanciare apo shërbimeve mbështetëse për bizneset e vogla në Kosovë.
Këto shërbime jofinanciare, të ashtuquajtura Akademi të Ndërmarrësisë/Biznesit, ofrojnë trajnime të ndryshme të cilat do të ju japin mundësi bizneseve të zhvillojnë planet e tyre strategjike, planet e marketingut dhe menaxhimin e financave, duke iu lehtësuar menaxhimin, rritjen dhe vazhdueshmërinë e bizneseve të tyre.
Këto akademi do të organizohen në 7 qytetet më të mëdha të Kosovës, ku pjesëmarrës do të jenë rreth 300 biznese. Trajnimet në këtë akademi do t’i mbaj kompania GURU Academy nga Turqia, kompani kjo me eksperiencë shumëvjeçare në fushën e konsulencës për biznese.
Z. Arton Celina, Kryeshefi Ekzekutiv i Bankës Për Biznes, tregoj më shumë për këtë projekt: “BPB, me mbi 11000 klientë aktiv në segmentin MNVM dhe mbi 99 milion EUR portfolio në këtë segment, është bankë që synon të jetë partneri strategjik i bizneseve të vogla dhe të mesme. Ne, jo vetëm që ofrojmë shërbime financiare, po në vazhdimësi hulumtojmë dhe bisedojmë me klientët tonë në lidhje me zgjidhjen e problemeve të tyre dhe kontributin që ne mund të ofrojmë. Si rezultat i këtyre hulumtimeve dhe bisedave me klientë, ne kemi vendosur te organizojmë këto akademi te biznesit, te cilat i kemi pare si kërkesë shumë e rëndësishme e bizneseve për zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre. ”
Në Kosovë regjistrohen 7000-8000 ndërmarrje çdo vit, ku pjesa dërmuese janë mikro-ndërmarrje, të cilat punësojnë 1-9 persona dhe nga të dhënat e këtyre hulumtimeve, kemi konstatuar se këto kanë jetëgjatësi prej 5 viteve. Gjatë këtij afati ato mund të ndërrojnë veprimtari për shkak të rrethanave të tregut, apo edhe të shuhen për shkak të kapacitetit të dobët për të konkurruar në treg. Problemet e identifikuara që kanë treguar këtë përfundim janë mos-pozicionimi i duhur strategjik, të qenurit të vegjël dhe të paqëndrueshëm, mungesa e njohurive për ballafaqim me vështirësi dhe qeverisja jo e duhur.
Prandaj, BPB përveç financimit, ka filluar me një qasje tjetër, inovative, për të ndihmuar këto biznese drejt zhvillimit të tyre, sepse besojmë që nëse këto tema trajtohen me konsulent kompetent me përvojë dhe njohuri të duhura, mund t’i ndihmojnë shumë këtyre bizneseve.
Në këtë aspekt, për t’i adresuar këto çështje, kemi menduar që organizimi i punëtorive apo seminareve të cilat ne i kemi quajtur Akademi Biznesi janë të duhurat për klientët tonë.
Pjesëmarrja në këto akademi do të jetë pa pagesë për klientët e bankës tonë.
Gjatë këtyre Akademive, klientët përfitojnë shërbime si:
- Trajnim dhe këshillim nga kompanitë konsulente të jashtme dhe ekspertë të bankave në vend
- Seminare për aftësitë e planifikimit të biznesit dhe strategjive të zhvillimit dhe menaxhimit financiar
- Artikuj mbi MNVM-të, platforma në internet, revista, materiale të mediave
- Seminare/takime , shkëmbime të përvojave
Këto trajnime të organizuara, kanë për qëllim ngritjen e të bërit biznes në një tjetër nivel për të gjithë pjesëmarrësit e këtyre akademive, gjë që ndikon në zhvillimin e ekonomisë së vendit, pasi që këto përbëjnë shtyllën kyçe të ekonomisë në Kosovë.