Përmbyllet me sukses cikli i Akademive të Biznesit organizuar nga BPB – mbi 200 biznese kosovare u trajnuan nga ekspert vendor e të huaj
Ka përfunduar me sukses cikli i parë Akademive të Biznesit që BPB ka organizuar këtë vit në 7 qytetet më të mëdha të Kosovës. Që disa muaj me radhë qindra përfaqësues të bizneseve kosovare janë trajnuar nga ekspertë vendor dhe nga ata nga Turqia rreth strategjisë së biznesit, planeve të marketingut dhe menaxhimit të financave, e tema të tjera me rëndësi për menaxhimin, rritjen dhe vazhdimësinë e bizneseve të tyre.
Me Akademinë e mbajtur në Komunën e Prizrenit, është shënuar edhe fundi i ciklit të parë të akademive të Biznesit të organizuara në 7 qytetet më të mëdha të Kosovës nga BPB dhe European Fund For Southeast Europe (EFSE).
Mbi 200 biznese kosovare janë trajnuar nga kompania, “GURU Academy” nga Turqia dhe ekspertët më të mirë vendor.
Këto shërbime jofinanciare, kanë ofruar trajnime të ndryshme të cilat do të ju japin mundësi bizneseve që në të ardhmen të zhvillojnë planet e tyre strategjike, planet e marketingut dhe menaxhimin e financave, duke iu lehtësuar menaxhimin, rritjen dhe vazhdueshmërinë e bizneseve të tyre.
Qëllimi kryesor i këyre akademive ishte ngritja e të bërit biznes në një tjetër nivel për të gjithë pjesëmarrësit, gjë që ndikon në zhvillimin e ekonomisë së vendit, pasi që këto përbëjnë shtyllën kyçe të ekonomisë në Kosovë.
Para të pranishmëve në këtë akademi nga menaxhmenti i Bankës për Biznes, ka folur edhe drejtori i këtij institucioni Arton Celina.
Ai tha se organizimi i këtyre akademive ka ardhur nga kërkesa e vet bizneseve, e është i lumtur për përmbylljen me sukses të këtij cikli të parë të këtij organizimi.
“Jam krenar që në javën që po e mbyllim “Javën Globale të Ndërmarësisë”, BPB me sukses po e mbyll ciklin e parë të akademive të biznesit. Ne jo vetëm që ofrojmë shërbime financiare, po në vazhdimës hulumtojmë dhe bisedojmë me klientët tonë në lidhje me zgjidhjen e problemev të tyre dhe kontributin që ne mund të ofrojmë. Si rezultat i këtyre hulumtimeve dhe bisedave me klientë, ne kemi vendosur të organizojmë këto akademi të biznesit, të cilat i kemi parë si kërkesë e rëndësishme e bizneseve për zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre. Pra, vet bizneset kanë kërkuar që përvec shërbimeve bankare, të kenë mbështetje edhe me shërbime jo financiare, sic janë akademitë në fjalë”, thotë Celina.
Megjithatë, ai shprehet se Akademitë do të mbahen edhe në vitet në vazhdim, duke shpjeguar se nga ky projekt i BPB-së do të ju munësohet edhe shumë bizneseve kosovare të trajnohen në këto fusha.
“Gjatë ciklit të parë, të mbajtur në shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës, më shumë se 200 klientë janë njoftuar më në detaje për hartimin e planeve strategjike, menaxhimin e financave e shumë tema tjera të rëndësishme për zhvillimin e biznesit të tyre. Duke parë suksesin dhe entuziazmin e klientëve, mund të konfirmoj që BPB do të vazhdoj me organizimin e këtyre akademive edhe gjatë viteve në vijim, për të ju mundësuar edhe me shumë bizneseve pjesmarrjen në këto trajnime”, ka thënë drejtori i Bankës për Biznes, Arton Celina.
Disa prej bizneseve më të suksesshme në Kosovë iu bashkuan trajnimeve të BPB-së. Drejtori i kompanisë “ABI”, Alajdin Fusha tha se është mirënjohës për angazhimin e vazhdueshëm të Bankës për Biznes në mbështetjeve të bizneseve vendore.
“Ky organizim i BPB, tregon rëndësinë e veçantë që banka e vendit i jep bizneseve vendore dhe rritjes së tyre. Me anë të këtyre trajnimeve, na eshte mundesuar qe te zgjerojmë kapacitetet tona e të bërit biznes, e jemi shumë të lumtur që edhe sot na u dha mundësia për të ndarë përvojat e idetë me të mira me njëri tjetrin si dhe eskpertët e ndryshëm të fushës”, ka thënë Fusha.
“Ky trajnim në vazhdimësi do të jetë ndihmesë për të menaxhuar planin tonë strategjik, duke synuar rritjen e vazhdueshme. Faleminderit BPB-së për këto udhëzime se si të menaxhojmë zgjidhjen e problemeve, sepse me të vërtetë kategoria jonë ka nevojë për vëmendje të shtuar, për vet impaktin që ka në ekonominë e vendit”, thotë i njejti.