Në Akademinë e Burimeve Njerëzore të Bankës për Biznes, nis trajnimet gjenerata e pestë e BPB Junior

Kanë filluar trajnimet për gjeneratën e pestë të programit BPB Junior,  në Akademinë e Burimeve Njerëzore të Bankës për Biznes në Prishtinë. 35 të rinj, studentë të universiteteve publike dhe private në vend janë në mesin e qindra aplikantëve që kanë kaluar fazat e testimeve për t’iu bashkëngjitur këtij programi.

Për tre muaj me radhë, të njejtët do të trajnohen nga ekspertët më të mirë të bankingut në vend, mbi module të ndryshme, derisa, pos çertifikimit, ata të cilat i kalojnë me sukses edhe fazat e mbetura do të përgatiten për t’u rekrutuar në departamente të ndryshme brenda institucionit.

Dhurata Robaj, menaxhere për trajnime dhe zhvillim në BPB në fjalën hapëse para studentëve që iu bashkuan programit ka folur për modulet e trajnimeve si dhe rrugën e tyre tre mujore në BPB Junior.

BPB ka arritur të rekrujtojë mbi 50 të rinj që kanë ndjekur programin, duke i pozicionuar të njejtët në departamentet dhe degët e bankës, për të cilat ata kanë treguar interes dhe pikat më të forta përgjatë tre muajsh sa zgjat programi.

Akademia e Burimeve Njerëzore ndërkaq, është transformuar si e tillë pas pesë vitesh punë intenzive që është bërë me programin BPB Junior, që fillimisht kishte nisur si ide për orientimin e studentëve në karrierë si dhe rekrutimin e stafit të ri brenda institucionit.