Bashkëpunimi për NMVM-të e Kosovës, 6 milion euro linjë kreditore nga BERZH për BPB

Në selinë qendrore të BPB-së në Prishtinë, është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Bankës për Biznes dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Nga partneriteti i vazhdueshëm i BPB-së me BERZH-in vazhdojnë të përfitojnë bizneset e vogla dhe të mesme në vend, kësaj radhe prej linjës kreditore në vlerë 6 milion euro.

Mimoza Godanci-Aliu, Kryeshefe Ekzekutive e BPB-së dhe Sergiy Maslichenko, Shef i Zyrës së BERZH-it në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshje kreditore në vlerë 6 milion euro, që në fokus ka mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme në vend.

“Ne jemi të kënaqur të mbështesim Bankën për Biznes në kreditimin e bizneseve të vogla. Prioriteti ynë kryesor është të mbështesim sektorin privat, i cili luan një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të vendit. Mbështetja e NMVM-ve të Kosovës me fokus në sektorët e prodhimit do të thotë gjithashtu krijim i vendeve të reja të punës dhe inovacionit, sepse bizneset e vogla përbëjnë pjesën më të madhe të punësimit në vend,” tha Sergiy Maslichenko, Shef i Zyrës së BERZH-it në Kosovë.

Projekti promovon sipërmarrjen dhe konkurrencën e tregut duke rritur aksesin në financa për NMVM-të në pronësi private. Përveç kësaj, do të mundësojë risi në strategjinë, produktet dhe marketingun e institucionit financiar partner në lidhje me kreditimin e NMVM-ve.

 

Mimoza Godanci, Kryeshefe Ekzekutive në BPB tha se partneriteti me BERZH-in ka kontribuar ndër vite si ndihmesë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. 

“Ne jemi mirënjohës për partneritetin tonë të qëndrueshëm me BERZH-in, i cili është dëshmuar si instrumental në përpjekjet tona për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e NMVM-ve në Kosovë. Besojmë se duke forcuar sektorin privat, ne po kontribuojmë në vitalitetin e përgjithshëm të ekonomisë së Kosovës dhe po e çojmë më tej përparimin e vendit drejt integrimit më të gjerë rajonal. Ne mezi presim të shfrytëzojmë këtë financim për të bërë një ndikim të qëndrueshëm në bizneset dhe komunitetet të cilave u shërbejmë,” tha Godanci-Aliu.

Financimi do të zgjerojë kapacitetet kredituese të Bankës për Biznes, me fokus të veçantë në sektorët e bujqësisë dhe prodhimit. BERZH synon të promovojë ekonominë e gjelbër, një nga prioritetet strategjike të Bankës së Vendit, me 30 për qind të financimit për të nxitur projektet e gjelbra të pranueshme sipas qasjes së BERZH-it në Tranzicionin e Ekonomisë së Gjelbër.

BERZH dhe BPB bashkëpunojnë në programin Rinia në Biznes për Ballkanin Perëndimor, program ky që është i fokusuar edhe te NMVM-të dhe është një nga llojet e ndryshme të financimit që Banka për Biznes ofron në bashkëpunim me BERZH-in. 

Banka për Biznes, e themeluar në vitin 2001, ka fokus të veçantë në shërbimin e nevojave bankare të NMVM-ve vendore. BERZH është një partner afatgjatë i bankës dhe poashtu bartë 10% të aksioneve.

Prioritetet strategjike të BERZH-it në Kosovë janë promovimi i ekonomisë së gjelbër, mbështetja e zhvillimit konkurrues të sektorit privat dhe nxitja e integrimit rajonal.

Deri më sot, BERZH-i ka investuar më shumë se 625 milionë euro në Kosovë përmes mbi 100 projekteve.