BPB vazhdon përkrahjen për fëmijë
Pas aktivitetit te fundit në përkrahje të fëmijëve qe BPB kishte zhvilluar vetëm pak ditë më parë, banka sot konfirmoi sërish përkrahje për fëmijët në vend, duke u bërë pjesë e iniciativës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për komunitetin (EBRD’s Community Initiative).
Iniciativa ka për qëllim të mbledhë fonde në përkrahje të fondacionit Care for Kosovo Kids (CfKK), të themeluar në vitin 2013. Fondacioni ka për qëllim të përkrahë fëmijët Kosovar të diagnostifikuar me kancer, duke ofruar trajtim të përshtatshëm mjeksor dhe çasje në medikamente dhe pajisje mjeksore.
‘Në mungesë të kushteve financiare, shumë fëmijë të diagnostifikuar me kancer nuk kanë mundësinë që sëmundjen t’a trajtojnë në mënyrën e duhur. Si bankë e vendit, natyrisht që edhe përkrahim komunitetin ku veprojmë sepse jemi edhe vet pjesë e këtij komuniteti.’, thotë z. Arton Celina, Kryeshef Ekzekutiv në BPB.
‘Duke përkrahur këtë iniciative por edhe tjerat, ne mundësojmë trajtim të njejtë, të hershëm dhe adekuat për të gjithë fëmijët e sëmurë, pa dallim.’, shton z. Celina tutje gjatë bisedës.
Në pamundësi të mbulimit të shpenzimeve të trajtimit, shumë fëmijë vdesin çdo vit si pasojë e sëmundjes së kancerit. Përmes donacioneve, Care for Kosovo Kids ofron trajtim të nevojshëm për rreth 60 fëmijë çdo vit.
BPB do të vazhdojë të përkrahë aktivitete të përgjegjësisë shoqërore, duke përkrahur kështu komunitetin në të cilin vepron. Për dy vite rradhazi, BPB është shpallur banka me rritjen më të shpejtë dhe më e përgjegjshme në Kosovë, nga gazeta prestigjioze Global Banking and Finance (GBAF).