Nga transformimi drejt rritjes – BPB dhe BERZH sjellin në Prishtinë liderë biznesi, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë për të diskutuar të ardhmen e konkurrueshmërisë së bizneseve në Kosovë dhe rajon.
Pas suksesit të edicionit të parë, Lead the Future rikthehet këtë vit me kapitullin e tij të dytë, nën temën “Turning Transformation into Growth: Build. Scale. Compete.”, duke e çuar diskutimin nga transformimi digjital dhe i gjelbër drejt rritjes së qëndrueshme, shkallëzimit dhe konkurrueshmërisë së bizneseve.
Nëse edicioni i parë, Lead the Future: Young. Digital. Green., u fokusua në potencialin e sipërmarrësve të rinj, digjitalizimin dhe tranzicionin e gjelbër, këtë vit konferenca ndërton mbi këto themele dhe kalon në fazën tjetër: si mund të shndërrohet transformimi në rritje konkrete dhe si mund të bëhen bizneset e Kosovës më konkurruese në tregun vendor, rajonal dhe ndërkombëtar.
Në qendër të këtij edicioni do të jenë edhe dy programe të rëndësishme të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Youth in Business dhe Go Digital, të cilat përmes partneritetit me BPB mbështesin bizneset në faza të ndryshme të zhvillimit të tyre. Përmes konferencës, këto programe do të lidhen drejtpërdrejt me diskutimin më të gjerë rreth sipërmarrjes, digjitalizimit, rritjes dhe konkurrueshmërisë së sektorit privat.
Konferenca do të trajtojë çështje që sot janë thelbësore për zhvillimin e sektorit privat: çfarë u duhet bizneseve për të ndërtuar modele më të qëndrueshme, për të rritur kapacitetet e tyre, për të hyrë në tregje të reja dhe për të konkurruar në një ekonomi që po ndryshon me ritëm të shpejtë. Njëkohësisht, diskutimet do të eksplorojnë rolin që financimi, teknologjia, inovacioni dhe qasja në ekspertizë mund të luajnë në këtë rrugëtim.
Edicioni i dytë i Lead the Future do të sjellë së bashku folës ndërkombëtarë, liderë të bizneseve vendore, sipërmarrës dhe ekspertë, përmes keynote speeches, fireside chats, diskutimeve në panel dhe formateve të networking-ut. Programi synon të krijojë diskutime relevante dhe praktike, duke sjellë perspektiva, përvoja dhe ide që mund t’i ndihmojnë bizneset të bëjnë hapin e radhës në zhvillimin e tyre.
Agjendën e plotë mund ta gjeni këtu!
Edicioni i parë i Lead the Future, i mbajtur në vitin 2025, mblodhi më shumë se 300 sipërmarrës, përfaqësues të NMVM-ve, ekspertë dhe partnerë institucionalë. Konferenca shënoi gjithashtu një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërmjet BPB-së dhe BERZH-it, me nënshkrimin e një marrëveshjeje të re financimi në vlerë prej 4.5 milionë eurosh, në kuadër të programit Youth in Business.
Me Lead the Future 2: Build. Scale. Compete., BPB dhe BERZH vazhdojnë të krijojnë një platformë ku bizneset, ekspertët dhe institucionet mund të shkëmbejnë njohuri, të sfidojnë mënyrat ekzistuese të të menduarit dhe të eksplorojnë mundësitë që mund ta bëjnë sektorin privat më të fortë dhe më konkurrues.
Sepse transformimi është vetëm fillimi.
Hapi tjetër është të ndërtosh, të rritesh dhe të konkurrosh.