Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, BPB organizoi workshop-in “SHE Leads – AJO udhëheq”, i cili mblodhi gra udhëheqëse në role kyçe në institucione financiare dhe gra sipërmarrëse që përmes punës së tyre po kontribuojnë në zhvillimin dhe formësimin e së ardhmes.
Workshop-i krijoi një hapësirë për diskutim të hapur dhe shkëmbim përvojash rreth sfidave, mundësive dhe perspektivave që i presin bizneset në vitet në vijim. Në fokus të bisedës ishte roli i grave në lidership, rëndësia e fuqizimit të grave në biznes dhe nevoja për ndërtimin e një komuniteti më të fortë dhe mbështetës mes grave sipërmarrëse.
Diskutimi u udhëhoq nga Nora Hasani, e cila facilitoi një bisedë të frytshme dhe inspiruese, duke sjellë në fokus përvojat dhe perspektivat e grave që janë aktive në sektorin financiar dhe në botën e biznesit.
Gjatë workshop-it u theksua se përfshirja më e madhe e grave në pozita udhëheqëse dhe në sipërmarrje është e rëndësishme jo vetëm për zhvillimin profesional të tyre, por edhe për krijimin e një ekonomie më gjithëpërfshirëse dhe dinamike.
Siç theksoi Argjira Kadrijaj Dushi, njëra nga gratë udhëheqëse në BPB, “SHE Leads” nuk është vetëm slogan, por një realitet dhe burim inspirimi.
Në BPB besojmë në fuqinë e grave për të ndërtuar, udhëhequr dhe transformuar ekonominë. Për këtë arsye, mbështetja ndaj grave sipërmarrëse shkon përtej produkteve financiare, duke përfshirë edhe iniciativa dhe forma të mbështetjes jo-financiare që kontribuojnë në zhvillimin e tyre profesional dhe në realizimin e qëllimeve të tyre në biznes.
“SHE Leads – AJO udhëheq” është pjesë e përkushtimit të BPB-së për të krijuar më shumë mundësi për gratë, për të nxitur lidershipin e tyre dhe për të kontribuar në një komunitet biznesor ku gratë jo vetëm marrin pjesë, por udhëheqin dhe krijojnë ndryshim.