Për shtatë ditë, Peja u shndërrua në një pikëtakim të animacionit, filmit dhe krijimtarisë, duke sjellë në ekran dhe në hapësirat e qytetit histori, ide dhe perspektiva nga Kosova, rajoni dhe bota.
Edicioni i 17-të i Anibar, i mbajtur nga 12 deri më 18 korrik, solli një program të pasur me filma të animuar, punëtori, masterklasa, prezantime, diskutime me kineastë e mysafirë ndërkombëtarë, ekspozita, programe për fëmijë, muzikë dhe aktivitete në hapësira të ndryshme të Pejës.
Në kuadër të programit filmik u prezantuan 171 filma nga 45 vende, të përzgjedhur pas shqyrtimit të më shumë se 2,100 aplikimeve. Filmat u shfaqën në pesë hapësira të festivalit dhe u ndanë në kategori konkurruese si Gara Ndërkombëtare, Gara Studentore, Gara e Ballkanit, Gara për të Drejtat e Njeriut, Gara e Videove Muzikore të Animuar dhe Gara për Audiencën e Re.
Programi u pasurua edhe me dokumentarë të animuar, filma eksperimentalë, programin VR, filma me metrazh të gjatë dhe programe të kuruara nga vende e kolektive të ndryshme. Një prej prezantimeve të veçanta ishte edhe fokusi zviceran, me filma, profesionistë të industrisë, masterklasa dhe punëtori.
Për të tretin vit me radhë, BPB pati kënaqësinë të mbështesë Anibar – një festival që përmes artit dhe animacionit krijon hapësirë për ide të reja, talentë të rinj dhe tregime që meritojnë të shihen, të dëgjohen dhe të diskutohen.
Sepse mbështetja e kulturës do të thotë të investosh në kreativitet, në komunitet dhe në një hapësirë ku idetë mund të marrin jetë.
Faleminderit, Anibar, për një tjetër javë plot ngjyra, histori dhe momente të përbashkëta.