Katër vikende, një festë e madhe e kulturës shqiptare në Gjakovë

Shkruar nga
Publikuar më

Për katër vikende me radhë, nga 17 korriku deri më 9 gusht, Gjakova u shndërrua në një skenë të madhe të kulturës, artit, muzikës dhe traditës shqiptare, përmes edicionit të tretë të festivalit “Ditët e Shqiptarit”.

I organizuar nga Fondacioni për Gjakovën, festivali solli një program të gjerë kulturor që ndërthuri muzikën, filmin, artin pamor, letërsinë, teatrin, sportin, natyrën dhe traditën. Aktivitetet u shpërndanë në disa prej hapësirave më karakteristike të qytetit, duke përfshirë Çarshinë e Madhe, Parkun Kulturor “Ali Podrimja”, Çarshinë e Jupave, lumin Krena dhe hapësira të tjera përreth Gjakovës.

Programi i këtij edicioni përfshiu 55 aktivitete dhe 22 koncerte, duke sjellë në skenat e festivalit emra të njohur të muzikës shqiptare, mes tyre Alban Skënderaj, Eugent Bushpepa, Rona Nishliu, Elita 5, Minatori, Tri Muskëtierët, Dren Abazi dhe artistë e grupe të tjera.

Përtej koncerteve, “Ditët e Shqiptarit” solli edhe aktivitete që lidhën kulturën me natyrën dhe traditën. Një prej tyre ishte gara tradicionale e kërcimeve nga Ura e Fshajtë, një traditë më shumë se 70-vjeçare, ndërsa programi përfshiu edhe aktivitete outdoor, koloni të piktorëve, kinema të hapur, aktivitete sportive dhe përvoja të tjera kulturore.

Në këtë mënyrë, festivali e shndërroi vetë qytetin në skenë, duke afruar banorët, vizitorët dhe diasporën me kulturën shqiptare dhe duke krijuar një hapësirë ku tradita bashkëjetoi me artin dhe format bashkëkohore të kulturës.

Si Banka e Vendit, BPB është krenare që për të dytin vit me radhë ishte pjesë e “Ditëve të Shqiptarit”, duke mbështetur një ngjarje që promovon trashëgiminë kulturore, identitetin shqiptar dhe jetën kulturore të Gjakovës.

Katër vikende, dhjetëra aktivitete dhe mijëra njerëz të mbledhur rreth muzikës, artit, traditës dhe kulturës – “Ditët e Shqiptarit” edhe këtë vit e sollën Gjakovën në qendër të një feste të përbashkët shqiptare.

Të ngjajshme:

EtnoFest ka përmbyllur edicionin e radhës në Kukaj, duke sjellë edhe këtë vit një program të pasur me...

Për shtatë ditë, Peja u shndërrua në një pikëtakim të animacionit, filmit dhe krijimtarisë, duke sjellë në ekran...

Stafi i BPB, i trajnuar në Grupin e Vullnetarëve të Bankës nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe...